GAO, NIK DHE LEKSIONET E DODAROS

Ky libër është një triptik i një lloji të veçantë, triptik auditi. Botimi nuk është një studim i mirëfilltë akademik, por një narrativë horizontale për të sjellë, me modesti e nderim pranë lexuesit të interesuar shqiptar, veçanërisht pranë audituesve, përvojën dhe kontributin e tre prej institucioneve më të shquara, të tre lider të përmasave ndërkombëtare: GAO amerikane, NIK-u polak dhe, krahas tyre, portreti profesional dhe mendimi i zotit Gene Dodaro, Kontrollori i Përgjithshëm aktual i GAO-s, personalitet me kontributet dhe vlerat e një institucioni të mirëfilltë.
Pjesa e parë e triptikut tenton në mënyrë integrale të japë një pamje të përgjithshme të historikut dhe funksionimit të institucionit lider në INTOSAI. Zyra e Llogaridhënies Qeveritare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës përfaqëson Institucionin Suprem të Auditimit (SAI) më të zhvilluar në botë. Në komunitetin e SAI-ve, INTOSAI, GAO mban një pozicion themelor dhe të pazëvendësueshëm. SAI amerikan ka ndikuar në përgatitjen dhe miratimin e standardeve të përmirësuara të auditimit në të gjithë botën, duke luajtur rol udhëheqës në dhënien e udhëzimeve të auditimit dhe në përcaktimin e drejtimeve strategjike të zhvillimit të organizatës botërore të SAI-ve.
Në pjesën e dytë jepet historiku i krijimit të Zyrës Shtetërore të Auditimit të Polonisë (me inicialet nga emërtimi në gjuhën polake, NIK), në fillim të 1919, në vitin e parë të Republikës së Dytë Polake (1919-1939), e deri tek periudha e Lëvizjes Solidarnosh e më tej në periudhën e shndërrimit të NIK në një ndër Institucionet Supreme të Auditimit më të mëdha dhe të zhvilluara të Evropës sot. Mbas viteve 1990-të, nën drejtimin e personalitetit më të spikatur politik dhe shtetëror në Poloninë e periudhës 1990-2010, ish-Presidentit Lech Kaczyński, ky institucion auditimi u kthye gradualisht, por fuqimisht në një institucion modern auditimi, katalizator i ndryshimeve pozitive në ekonominë dhe shoqërinë polake dhe kontribues me vlerë në anëtarësimin e Polonisë në Bashkimin Evropian.
Pjesa e tretë e triptikut ka të bëjë me mendimin dhe veprimin e z. Gene Dodaro, të cilit motoja “rindërtimi i besimit të publikut tek institucionet qeveritare” i ka përshkruar të gjithë jetën kushtuar auditimit publik të jashtëm amerikan dhe më gjerë. Z. Gene Dodaro, Kontrollor i Përgjithshëm i SHBA-ve dhe President i GAO-s, argumenton veprimet konkrete, metodologjitë dhe teknikat e auditimit, të zhvilluara prej tij, duke konsoliduar konceptin e “auditimit gjithëpërfshirës” tek të gjithë departamentet dhe agjencitë federale.
Filozofia e liderit të ri në detyrë, z. Dodaro (2008) e konsideronte dhe vijon ta konsiderojë institucionin një strukturë mbikëqyrëse dhe investiguese të mënyrës se si përdoren paratë e taksapaguesit amerikan, e cila vepron në kufinj të rinj, me përmasën e veprimtarisë këshilluese dhe parashikuese, për të qenë strukturë parandaluese për Kongresin dhe qytetarin, të situatave kriza për ekonominë dhe shoqërinë amerikane.
_______________________
Shtypur në Shtypshkronjën “Classic Print” Tiranë, Janar 2020
Tirazhi: 500 kopje
Seria: botime KLSH 11/2019/112 ©Copyright AUTORI ISBN: 978-9928-4573-2-5.