40 VJET DEKLARATA E LIMËS

Deklarata e Limës është Akti që ndryshoi botën e auditimit suprem shtetëror. Që kur ajo u miratua në Kongresin INCOSAI i IX-të në vitin 1977 në Lima, u konceptua mbi bazën e një bashkëpunimi ndërkombëtar real mes institucioneve supreme të auditimit(SAI-ve).
Dobia dhe rëndësia e jashtëzakonshme e Deklaratës së Limës u ngjiz nga disa gjetje të autorëve të saj.
Së pari, ajo jo vetëm deklaron pavarësinë e SAI-ve, por cilëson se përse kjo pavarësi është e domozdoshme, duke tërhequr vëmendjen në natyrën relative të pavarësisë dhe duke përcaktuar kushtet më të rëndësishme të sigurimit të saj. Deklarata përkufizon përmbajtjen e pavarësisë, duke përcaktuar marrëdhëniet e SAI-ve me institucionet përkatëse shtetërore.
Së dyti, ajo vendos kufijtë mbi aktivitetet e SAI-t dhe përcakton fuqinë e vendimeve të SAI-t, që do të thotë se përshkruan pritshmëritë në lidhje me aktivitetet e SAI dhe rezultatet e këtyre aktiviteteve.
Së treti, Deklarata e Limës ofron udhëzime të detajuara metodologjike për përmbajtjen dhe fushat e veprimtarisë së SAI-t, duke parashtruar parimet e sigurimit të cilësisë në auditim, një koncept që në vitin 1977 ishte mjaft përpara kohës së tij.
Së katërti, ajo i pozicionon aktivitetet e SAI-t në nivel ndërkombëtar, në lidhje me shkëmbimin e përvojës dhe marrëdhëniet me organizatat ndërkombëtare. Me prekursor pikerisht Deklaraten e Limës, ky pozicionim është realizuar ne menyre te perkryer dhe bashkekohore sot nga Kongresi INCOSAI i XX-te INTOSAI-t në Abu d’Habi te Emirateve te Bashkuara Arabe, me ne SAI-t dhe organizaten tone si mbikqyrese te zbatimit te objektivave te Axhendes 2030 te Kombeve te Bashkuara, te bashkuar ne ambicie dhe vendosmeri per te qene sa me profesionalë ne vleren e shtuar te sherbimit tone ndaj qytetarit.
Deklarata e Limës është një dokument i ndërtuar saktë, me përmbajtje të qëndrueshme, me qëllim të mirëpërcaktuar dhe me një mesazh të qartë. Ajo bazohet në parime dhe vlera të përgjithshme që do të zgjasin në të ardhmen. Ajo ka një formulim kaq të qartë dhe një strukturë kaq të thjeshtë, sa të jep menjëherë një ndjenjë sigurie dhe të të paturit të një dokumenti mbështetës me vlera dhe përmbajtje të padiskutueshme.
Ne si KLSH kemi një dëshirë të fortë dhe vullnet të plotë për t’u shndërruar në një SAI modern evropian, duke zbatuar me përpikmëri standardet e pranuara ndërkombëtarisht ISSAI të INTOSAI-t. Kur tre vjet më parë debatonim në komisionet e Kuvendit përmbajtjen e ligjit të ri integral për KLSH-në, të miratuar në nëntor 2014, ajo që na vinte në ndihmë, na jepte kurajo dhe qartësi në rrugën tonë për të siguruar një pavarësi të plotë funksionale dhe financiare të institucionit, ishte pikërisht Deklarata e Limës.
Këto 40 vite që kanë kaluar, kanë provuar dobinë e saj të drejtpërdrejtë, si dhe faktin se, në sajë të parimeve dhe vlerave të qëndrueshme të mishëruara në të, ajo mundet edhe sot të sigurojë një kuadër të plotë për auditimet, duke iu përshtatur specifikave dhe kërkesave të seicilit vend të veçantë, në një botë të internetit që zhvillohet me shpejtësi, duke ndryshuar praktikisht botën e auditimit publik.
Ja përse edhe pse me 40 vite mbi supe, Deklarata e Limës është sot më e kohës se kurrë. Betejat për shëndoshjen e financave publike dhe menaxhimin e duhur të borxheve publike të stërmëdha, i ftojnë si INTOSAI-n dhe ne SAI-t anëtare në një kontribut dhe rol të pamenduar më parë, të cilin Deklarata e Limës e ka parathënë 4 dekada më parë. Dhe saktësisht faktin që Institucionet Supreme të Auditimit janë të kualifikuara për të garantuar dhe nxitur sigurinë e mirëfunksionimit të financave shtetërore. Duke kontribuar në këtë siguri, ne si SAI mundemi sot të bëjmë ndryshimin e pritur dhe kërkuar në jetën e qytetarëve të vendeve tona.
_______________________
Shtypur në Shtypshkronjën “Classic Print” Tiranë, 2017
Tirazhi: 200 kopje
Seria: botime KLSH 16/2017/117 ©Copyright AUTORI ISBN: 978-9928-4578-1-2.