4 vjet Auditim i Jashtëm Publik

Vitet 2012-2015, të karakterizuara nga zbatimi i motos “ Experentia mutua Omnibus Prodest (Eksperienca e përbashkët u shërben të gjithëve)” të Organizatës Botërore të Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI-ve) INTOSAI, përfaqësojnë për Kontrollin e Lartë të Shtetit një progres të vrullshëm cilësor.
Bazuar në një qasje të re dhe përgjegjësi të rritur kombëtare, vizioni i KLSH ka qenë shndërrimi i audituesve të tij në një trupë moderne auditimi, që zbaton standardet ndërkombëtare ISSAI të INTOSAI-t në kushtet dhe specifikat e Shqipërisë, e aftë të përballojë sfidat e kohës për shëndoshjen e plotë dhe qëndrueshmërinë e financave publike, të luftojë në thellësi dhe në sistem korrupsionin, si dhe të bashkëpunojë me efektivitet dhe efiçiencë me partnerët brenda vendit, me institucionet simotra në Europë dhe më gjerë, dhe me partnerët ndërkombëtarë.
Nëpërmjet raportimeve në Kuvend, fjalës, argumentimeve dhe gjetjeve në analizat vjetore dhe periodike të institucionit, mesazheve të përmbajtura në prezantimet në konferenca shkencore dhe përshëndetjeve në aktivitete të ndryshme promovimi e bashkëpunimi dhe partneritete të realizuara, si dhe nëpërmjet opinioneve dhe intervistave në median e shkruar të vendit, ky botim përbën një dëshmi të faktit se shndërrimi i KLSH-së nuk ndodhi në mënyrë spontane dhe të fragmentuar, por ishte fryt i një plani strategjik të përgatitur që në fillim, i cili synonte reforma të thella në shtatë vitet e një mandati Kushtetues (2012-2018), në dobi të forcimit dhe modernizimit të auditimit suprem publik, si dhe rritjes së përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies në administratën tonë publike.

Në tërësi, ky libër e projekton KLSH-në përpara lexuesit shqiptar në të gjitha përmasat e transformimeve drejt një organizate model të auditimit suprem, e cila udhëheq nëpërmjet shembullit që jep, në përputhje me orientimin Strategjik të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t.
____________________
Shtypur në Shtypshkronjën “Jupiter Group”, Tiranë, 2016.
Tirazhi: 400 kopje
Seria: Botime KLSH 11/2016/62 ISBN: 978-9928-159-48-9