Shkrime

Politikat boshe të qeverisë

Akti Normativ nr. 12 datë 29.07.2022 për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, edhe pse sipas relacionit bashkëlidhur vjen me fokus primar akomodimin e financimit të mbështetjes për shtresat e sektorët e impaktuar nga situata e krizës dhe reduktimin e defiçitit buxhetor për garantimin e qëndrueshmërisë së parametrave makroekonomike, në të vërtetë vetëm shtresën më të impaktuar nga kriza nuk do të mbështes.
Dhe të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se më të prekurit e kësaj krize dhe jo vetëm (rikujtoj këtu tërmetin dhe pandeminë) janë qytetarët shqiptar. Si mund të pretendoj kjo qeveri se nëpërmjet çdo akti normativ që nxjerr ka fokus mbështetjen e qytetarëve, kur pikërisht këtyre qytetarëve nuk u ka përcaktuar ende një minimum jetik, duke u shkelur dinjitetin dhe të drejtat që vet Kushtetuta ua njeh? Ndërkohë që jemi i vetmi vend në rajon dhe Europë, për të mos thënë dhe në botë, që edhe pse minimumin jetik e kemi të përcaktuar si një normë ligjore që buron nga të drejtat kushtetuese të qytetarëve, ende nuk kemi një shifër fikse zyrtare të përcaktuar.
Dhe arsyeja është plotësisht e qartë për të gjithë: Nëse qeveria do të njihte një minimum jetik, atëherë asaj do t’i duhej ta kompensonte këtë varfëri, ashtu si ndodh në vendet demokratike të botës. Po për aq kohë sa qeveria nuk e njeh zyrtarisht një vlerë të përcaktuar të minimumit jetik do të vazhdojë të nxjerr akte normative në “kurriz” të qytetarëve shqiptar për interesat e veta dhe të oligarkëve që përfaqëson.
Në vijim të këtij shqetësimi kryesor që e sjell dhe në formën e një ri-kërkese për Qeverinë me qëllim matjen dhe përcaktimin zyrtar të minimumit jetik, po ndalem dhe në disa pika të këtij akti normativ si në vijim:
Ø AKSHI ka qenë një ndër institucionet me mbështetje të vazhdueshme dhe ndër institucionet me fondet më të larta të prokuruar, kryesisht për mbrojtjen e të dhënave dhe sigurinë e tyre, ndërkohë i rritet buxheti edhe me 2.2 miliard lekë. Pavarësisht këtij fakti sërish ndodhemi para ekspozimit të të gjithë të dhënave sensitive. Dhe jo vetëm kaq, por është pikërisht kjo Qeveri që zyrtarizon dhe dhënien e një koncesioni të ri, “Për ofrimin e shërbimeve të infrastrukturës së çelësave publikë”, duke shtuar jo vetëm kosto mbi bizneset por edhe rrezikun për cenimin e të dhënave.
Ø Rritja buxhetore me 1,8 miliard ose me 185% nga planifikimi fillestar të programit buxhetor të MFE “Ekzekutimi i pagesave të ndryshme”. Kjo rritje dhe këto pagesa lidhen me kostot e vendimit të Qeverisë për Kompensim Financiar të çmimit për disa materiale ndërtimi, vendim për të cilin në mënyrë të detajuar kam relatuar edhe më herët të gjitha problematikat, hapësirat për abuzime dhe pasojat për buxhetin e shtetit dhe jo vetëm. Parashtroj dhe njëherë shqetësimin se edhe në këtë moment ku kemi një rritje fondi prej 1.8 miliard për kompensim, ende mungon metodologjia e vlerësimit të kompanive fituese të tenderave shtetërorë, si dhe ende nuk është krijuar një regjistër apo databazë për kompanitë që janë subjekte të përfitimit të kompensimit nga Akti duke marr në konsideratë këtu dhe transparencën për ato subjekte që janë cilësuar me shkelje në procesin e tenderimit dhe nuk duhet të jenë përfitues të këtij kompensimi. Po kështu sjell në vëmendjen tuaj se kompensimi financiar i caktuar me një marzh nga 5-30%, lë shteg të hapur për abuzime, pikërisht për shkak të diapazonit të gjerë.
Ø Po kështu programi i Transportit Rrugor dhe Furnizimi me Ujë dhe Kanalizime nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës paraqiten me shtesa buxhetore. Kategoritë e Shpenzimeve të buxhetit që planifikohen të rriten janë: Shpenzimet Korrente me 3.2 miliardë Lekë, Shpenzimet Kapitale me 2.9 miliardë Lekë, Fondi Rezervë me 0.7 miliardë Lekë.
Ø Pra në një kohë kur qeveria për menaxhimin e krizës duhet t’i ul shpenzimet korrente dhe ato kapitale, vepron në mënyrë të kundërt duke i rritur, duke dëmtuar kështu edhe më tej ekonominë e qytetarëve shqiptarë, buxhetin e shtetit dhe njëkohësisht duke nëpërkëmbur rekomandimet e institucioneve më të larta ndërkombëtare si FMN për ulje të shpenzimeve kryesisht atyre kapitale dhe operative. Rikujtoj se vet kjo Qeveri nëpërmjet Ministrisë së Financave i pati premtuar Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) se gjatë vitit 2022 e në vijim buxheti i shtetit nuk do të ndryshonte me akt normativ dhe se gjithashtu do të rishikohej me ulje zëri i investimeve kapitale.
Ø Shpenzime personeli dhe ato për subvencione shfaqen me reduktim. Në shpenzime personeli ka ndikuar shkurtimi i Fondit për politikat të reja pagash nga 2.4 miliardë Lekë planifikuar në fillim në 1.9 miliardë Lekë. Sipas INSTAT ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Korrik 2022 u vlerësua 7,5 %. Nëse e krahasojmë vetëm me muajin janar të këtij viti, ku treguesi ishte 3.7%, rritja e inflacionit është në nivele kritike, niveli më i lartë në 20 vitet e fundit. Më shumë se gjysma e rritjes së çmimeve në vend vjen për shkak të shtrenjtimit të produkteve që Shqipëria merr nga importi, duke sinjalizuar se rritja e çmimeve të konsumit do të vazhdojë më tej, pasi inflacioni në Eurozonë po arrin 10%.Pra në këtë akt normativ me qëllimin për mbështetje e krizës ekonomike, kjo qeveri nuk e sheh aspak problematikë rritjen e çmimeve dhe inflacionit, si rrjedhojë dhe nuk merr asnjë masë për rritjen e pagave dhe indeksimin e tyre në raport me kostot që kjo krizë ka sjellë.
Ø Në programet bazë të sektorit publik Shëndetësi është planifikuar më pak buxhet duke e shkurtuar buxhetin e Shëndetësisë me 5%, ku vetëm vlera e shpenzimeve për Shërbimin e Kujdesit Parësor bie në nivelin më të ulët të shpenzimeve për pesë vitet e fundit. A janë shërbimet e sektorit publik të shëndetësisë në kushte për shkurtim buxheti në vijim edhe të pasojave të shkaktuara nga pandemia, ku vendi ynë edhe në këtë drejtim pati mbështetjen më të ulët sociale?
Ø Veç shëndetësisë shkurtim me minus 42% e shpenzimeve të planifikuara më herët ka pësuar INSTAT me Programin Statistikor, shkurtim që vjen si rezultat i anulimit të zhvillimit të censusit, sipas njoftimit të bërë nga në 25 gusht nga INSTAT. Përse ky proces që duhej zhvilluar që prej vitit 2021 ende po shtyhet? Ndoshta prej faktit që kësaj qeverie i intereson të vijoj me paraqitjen e të dhënave jo të përditësuara, për të fshehur “tkurrjen” e popullsisë, largimin nga vendi të shtresës më vitale që janë të rinjtë, largimin e “brain drain”, për të “fshehur” koston reale të borxhit për frymë, papunësinë reale, ndryshimet reale demografike etj të cilat do të shfaqnin jo vetëm problemet reale ekonomike por edhe ato sociale?Sikur vetëm treguesin e borxhit për frymë të marrim në konsideratë, për vitin 2013 dhe periudhën qershor 2022,sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, rezulton se ky tregues është rritur nga 2,237 euro në vitin 2013, në aktualisht 4,123 euro për frymë dhe vlera nominale e borxhit është rritur nga 6,313 milion euro në 11,668 milion euro.
Ø Për Kontigjencën e Paketës së Rezistencës Sociale, nga 6 miliardë Lekë plani i rishikuar rritet në 12.1 miliardë Lekë, pra rritje me 6.1 miliard. Sikur paketën sociale të qeverisë sonë ta krahasojmë vetëm me paketën sociale të Kosovës që përllogaritet rreth 150 milion euro ose rreth 18 miliard, e kuptojmë diferencën. Kosova me një buxhet shumë herë më të varfër dhe me një popullsi rreth 1 milion më pak, ofron një paketë rezistence sociale konsiderueshëm më të lartë se qeveria shqiptare.
Ø Nëpërmjet këtij akti normativ Qeveria po ri-planifikon të ardhura në vlerën 576.8 miliard Lekë, 30 miliard më shumë se plani i rishikuar me aktin normativ të marsit ose rreth 40 miliard më shumë se Plani Fillestar për të ardhura. Kjo rritje vjen për disa arsye ku më kryesorja është rritja e të ardhurave të mbledhura tatimore e doganore nga rritja e çmimeve të konsumit. Rritja e çmimeve të mallrave ndikon pozitivisht të ardhurat buxhetore, për shkak se arkëtimet neto nga tatimet që mblidhen shënojnë rritje. Por ndikimet negative janë te konsumatorët, pasi do të duhet të paguajnë çmime më të larta për mallrat që konsumojnë e për rrjedhojë më shumë taksa mbi konsumin. Pra kostoja e rritjes së çmimeve është transferuar te konsumatori nëpërmjet çmimeve më të shtrenjta të produkteve, ndryshe nga gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Europës që po aplikojnë TVSH të reduktuar. Dhe kjo jo vetëm në produktet e “shportës së konsumit” por edhe në produktet e energjisë si elektriciteti, gazi natyror që përdoren dhe për konsum familjar, ngrohje etj. Shqipëria edhe në këto produkte aplikon normën standarde 20 % duke e tejkaluar kështu dhe shumë vendet siç janë: Italia me TVSH 10 %; Luksemburg 8 %; Greqia 6 %; Francë 6 %, Maltë 5%, Kroacia 13 %, Kosova 8 %, Maqedonia e Veriut 5 % etj. Kjo vërtetë për qeverinë përkthehet në më shumë të ardhura në buxhet, por absolutisht nuk mund të reklamohet si sukses dhe të shitet “si paketë për rezistencën sociale”, pasi janë qytetarët që vuajnë pasojat e rritjes së taksave nga rritja e çmimeve, “fryrja” e çmimeve të real estate dhe së shpejti dhe pasojat e amnistisë fiskale, shitjes së pasaportave “të arta”, rikthimit të basteve etj.
Ø Rritje me 1.72 miliard lekë për subvencionimin e qerasë për familjet e prekura nga tërmeti. Një vlerë kjo e konsiderueshme kjo për të cilën mungon një regjistër i detajuar mbi përllogaritjen. Megjithatë përtej këtij fakti shqetësimi kryesor konsiston në 2 drejtime: e para që shumë familje shqiptare janë ende pa shtëpi që prej tërmetit të muajit nëntor 2019, pra prej rreth 3 vite dhe së dyti nëse ju do kishit mbajtur premtimet për ta mbyllur procesin e rindërtimit në kohë, sot që po flasim buxheti i shtetit do ishte minimalisht +1.72 miliard lekë dhe jo minus.
Ø Në faqen 2 të relacionit citohet: Në të njëjtën linjë, Borxhi Publik total për vitin 2022 pritet të ulet në rreth 71.9% e PBB, nga 73.2% e PBB që rezultoi për vitin 2021.
Që prej vitit 2013, vihet re një rritje e Borxhit Publik mbi nivelin 60% që është një nga kriteret e institucioneve ndërkombëtare për nivelin që borxhi publik nuk duhet të tejkalojë. Gjithashtu edhe në nenin 4 të Ligjin Organik të Buxhetit nr. 57, datë 02.06.2016 përcaktohet se çdo vit borxhi publik vjen në ulje deri sa të arrijë poshtë kufirit 45% e PBB-së. Konkretisht për fundin e vitit 2021, ky tregues shënoi 28.2% më shumë se sa kufiri i lejuar, duke u pozicionuar me një nivel borxhi të lartë, krahasuar me vendet e rajonit, konkretisht në vend të dytë pas Malit të Zi. Aktualisht në rajon, nivelin më të ulët të borxhit publik e ka Kosova, me 20.3% të PBB-së, Bosnjë Hercegovina (35.4%), Maqedoni e Veriut (47%), Serbi (56.5%).
Por vlera e borxhit publik është shumë e lartë se kaq, nëse marrim në konsideratë:
· detyrimet e prapambetura të cilat deri në fund të muajit Dhjetor 2021 nisur nga publikimi në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë rezultojnë me një stok prej 13.23 miliard Lekë.
· detyrimet e akumuluara të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve të cilat rezultojnë të jenë në vlerën 21.9 miliardë Lekë, ku vetëm ndërmarrja e UK Sh. a Durrës ka 6.71 miliard Lekë detyrime të akumuluara në vite.
· detyrimet e njohura të ndërsjella të ndërmarrjeve energjitike në vlerën 144,21 miliardë lekë.
· detyrimet e tjera kontingjente nga vendimet e arbitrazhit ndërkombëtar të cilat nga raporti për zbatimin e buxhetit të shtetit 2020 vlerësohen të paktën 50,4 miliardë lekë, ose konvertuar me kursin aktual afërsisht në 431 milion euro.
· detyrimet Kontingjente për Koncesione PPP deri në fund të vitit 2020 të përllogaritura rreth 1.57 miliard euro ose rreth 13.7 e PBB, vlerësuar me kursin aktual të euros. Vlerë kjo në një kohë kur pas vendit tonë me këtë raport, peshën më të lartë në vijim e ka Sllovakia me Detyrime sa 2.36 % dhe Portugalia me 2.28% të PBB. Të gjithë vendet e tjera kanë raporte Detyrime Kontingjente PPP nga 0% deri në 1.13 % të PBB-së duke treguar kujdes maksimal kundrejt Financave Publike.
Duke i shtuar stokut të borxhit vlerat e mësipërme njohur si “borxhi i fshehur”, niveli i borxhit publik të vendit tonë kap vlerën alarmante mbi nivelin 100% të PBB-së. Në kushte të tilla dhe duke marr në konsideratë të gjitha analizat mbi borxhin publik të argumentuara dhe paraqitura vazhdimisht në parlament, këto premtime dhe synime nga ana e Qeverisë janë jo vetëm të pamundura për tu realizuar por edhe mashtrimi i radhës që i bëhet qytetarëve shqiptarë. Për sa më sipër as ky akt normativ jo vetëm që nuk do të kontribuojë në menaxhimin dhe kapërcimin e kësaj situate të vështirë dhe në lehtësimin e barrës së shtresave në nevojë, por do të rëndojë më tej qytetarët dhe bizneset duke e kaluar ekonominë në krizë edhe më të thellë. Kështu që nëse kjo Qeveri vërtetë ka si synim të ndihmojë dhe të mbështesë qytetarët shqiptarë, ta filloj punën duke i trajtuar ata me dinjitetin e munguar, duke u përllogaritur zyrtarisht minimumin jetik dhe duke indeksuar pagat, me qëllim kompensimin për atë që realisht u takon për të jetuar me të gjitha të drejtat ligjore, sociale dhe ekonomike që u takojnë.

Botuar në Gazeta Sot më 10.09.2022

Scroll Up