Shkrime

Bizneset në mbijetesë nga shtimi i kostove dhe mos-mbështetja qeveritare

Shtrenjtimi me tre herë i energjisë elektrike nga 11.5 lekë për kilovat/orë në 34 lekë/këh, i kostos së transportit me dy herë, për shkak të çmimit të naftës, si dhe mesatarisht me 40 përqind i lëndëve të para, po detyrojnë sipërmarrjet prodhuese të vendit që të vijojnë rritjen e çmimeve të produkteve te tyre. Të ndodhura përpara rritjes eksponenciale të kostove të prodhimit, ato i janë drejtuar qeverisë, duke i kërkuar me dhjetra herë subvencion shtetëror për një periudhë të caktuar, deri në normalizimin e çmimeve ndërkombëtare të energjisë elektrike dhe naftës, pasi nuk kanë mundësi financiare të përballojnë shtrenjtimin e kostove të lëndëve të para, energjisë dhe karburantit. Kanë hasur në një shurdhëri dhe indiferencë tipike të sektit Rama në pushtet. Janë detyruar që, për të ruajtur konsumin, të amortizojnë shtimin e kostos tek ulja e marzhit të fitimit. Shumë nga sipërmarrjet po punojnë pa fitim, me shpresë se çmimet e energjisë dhe të transportit mund të pësojnë ulje. Perspektiva është e zymtë. Studimet dhe vrojtimet e Bankës Botërore parashikojnë nivele të tilla të larta sa sot, të çmimeve të energjisë elektrike dhe naftës deri në vitin 2024. Për të mbijetuar, kompanitë prodhuese të vendit kërkojnë ndihmë nga shteti nëpërmjet subvencioneve. Shprehen se sipërmarrjet e njëjta me to në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi kanë marrë subvencione të konsiderueshme, në nivelin e të paktën 250 eurove në muaj, për çdo punonjës që mbajnë në punë, që nga koha e shpërthimit të pandemisë. Pa përmendur subvencionet nga qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, që janë me herë dhe dhjetëra herë më të larta për çdo punonjës të bizneseve prodhuese të vendeve përkatëse. Shtete si Gjermania, Franca, Belgjika, Spanja, Italia, etj, kanë deklaruar se mbi 90 përqind e të ardhurave suplementare në buxhetet e tyre, të gjeneruara nga rritja galopante e inflacionit, është rialokuar në programet e mbështetjes për familjet dhe për bizneset prodhuese të vendeve të tyre. Tek ne, sekti në pushtet ka të ardhura shtesë në buxhet mbi 580 milionë euro për periudhën janar-korrik 2022, për shkak të inflacionit të lartë, por nuk ka dhënë deri tani asnjë euro në mbështetje të sipërmarrjeve prodhuese të vendit, në një kohe kur shpenzimet buxhetore jo të domosdoshme për fasada dhe shpenzimet pa efektivitet, efiçiencë dhe ekonomicitet(3 E-të) kapin nivelin e 600 milionë eurove në vit.

Botuar në Gazeta Sot më datë 23.08.2022

Scroll Up