Shkrime

Sulejman Delvina, politikani krijues i Shqipërisë pas sundimit osman

Të shkruash për njërën nga figurat më të rëndësishme dhe më madhështore të të Delvinës, të Labërisë e të krejt kombit tonë në shekullin e tij më vendimtar, për Sulejman Delvinën është e vështirë.
Të shkruash për Sulejman Delvinën është detyrim, të cilin, si qytetar vlonjat i apasionuar pas historisë dhe vlerave shqiptare, e kam dyfish nder dhe detyrim. Në historinë e saj të cdo periudhe Delvina ka spikatur me një mori personalitetesh, që janë shquar pothuajse në te gjitha lemenjte e aktivitetit politik e intelektual, por Sulejman Delvina mbetet deri më sot figura më e shquar e qytetit. Jam i bindur se nëse do të ngrihet ndonjëherë ngrehina e Panteonit në Shqipëri, është e sigurt se Sulejman Delvina do të jetë një nga ata shtetarë, që do jetë në një vend nderi në të. Sulejman Delvina lindi në vitin 1884 në qytetin e Delvinës dhe, pikë së pari, është bir i brezit të fundit të artë, që nxori Rilindja jonë Kombëtare në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX në Shqipëri. Ai ishte pinjoll i fisit të respektuar të Oxhakut të Bejlerëve Delvina, i cili ka luajtur një rol mjaft pozitiv në zhvillimin e Shqipërisë Jugore gjatë disa shekujve që kjo Derë e lartë e aristokracisë shqiptare që në krye të administrates vendëse. Ne shekullin XVIII Delvina u bë një qendër pashallëku pikërisht nga rëndësia që mori si një nga 2-3 qytetet e atehershme më të mira në territorin e Shqipërisë Jugore. Ishte në këtë atmosferë ku erdhi e u përkund qysh i vogël Sulejman Delvina. Në ambientin shoqëror ku ai u rrit kishte nisur hapat dhe kultura jonë, qoftë ajo popullore ose e kultivuar në shqip me alfabete të thjeshta. Është për t’u theksuar se nga ky qytet doli një poet i quajtur Haxhi Sherreti,që është autori I poemes kushtuar Ali Pashë Tepelenës me titullin pretencioz Alipashaida. Po nga rrethi fisnor i Sulejmanit e kishte nënën e tij nje nga simbolet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mendimtari erudit Faik Bej Konica. Po horizonti intelektual i cunakut Sulejman Delvina do zmadhohej në hapësira shumë më të mëdha sidomos atëherë kur do shkonte për studime të nivelit të mesëm në gjimnazin “Zosimea të Janinës, Janina e atëhershme, si qëndra e njërës prej 4 vilajeteve shqiptare e metropol i madh I kultures sonë, kishte fatin që në të gjendej prej gjysmë shekulli gjimnazi Zosimea një prej gjimnazeve private laike me cilësitë më të shkëlqyera në territorin e Perandorisë Otomane, ku mësoheshin mbi bazamentet e iluminizmit me dhjetra lëndë dhe 5 gjuhë të gjalla dhe të vdekura. Zgjuarsisë së lindur të S. Delvinës Zosimea i ndezi inteligjencën. Ky gjimnaz, përvec shkollimit, zgjoi tek ai edhe ndërgjegjen patriotike, e cila, në bashkeveprim me atë të qindra nxënësve që studionin aty, e bëri të vetëdijshëm edhe për një shkollë tjetër që duhet të niste, atë të formimit te militantit aktiv për cështjen e rëndë kombëtare, pasi u bë e qartë se territoret ku flitej gjuha shqipe ishin trevat e fundit në Ballkan, që, përveç fesë, asgjë nuk I bashkonte më të ardhmen e Perandorisë Osmane. Sulejman Delvina studimet e larta i kreu në degën e administratës publike në Shkollën e Lartë të Administratës Perandorake në Stamboll, ku u diplomua në 1911. Ndërkohë që ai ndiqte studimet, pas Revolucionit Xhonturk të vitit 1908 në Delvinë u hap menjëherë klubi patriotic Bashkimi kurse në 20 maj 1909 u hap shkolla e parë. Në krye të këtyre institucioneve u vu një i afërt i tij,Namik Delvina. Shumë shpejt te Sulejmani lindën instiktet e rebelimit ndaj cdo gjëje që pengonte afirmimin e kombit. Në korrik 1911 ai priu manifestimin e studenteve tanë në Stamboll për të mbështetur alfabetin e Kongresit të Manastirit e kërkesat e lëvizjes sonë kombëtare shqipe. Po atë muaj ai mori dhe diplomën në 2 fusha,në administratë e jurist. Asnjë studenti tjetër të asaj kohe nuk i ka koinciduar kaq lumturisht që,ndërsa merrte me vlerësimin më të lartë universitar dy medalje, njëkohësisht një diplomë tjetër ta merrte komisionit tjetër të atdheut të tij për kontributin që po jepte në zgjimin kombëtar të vendit të vogël ballkanik nga vinte Ai ishte dhe një nga nënshkruesit e Thirrjes së 18 Nëntorit 1912 dorëzuar përfaqësive të Fuqive të Mëdha në Stamboll,ku kërkohej të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Dhe kjo datë e Sulejman Delvinës ka një koincidencë tjetër po aq të rëndësishme sa edhe ajo e para. Në 18 Nëntor 1912 do të nisej nga Stambolli përgjithmonë I. Qemali në udhëtimin historik me stacion Bukuresht-Vjenë-Durës, që do të finalizohej me shpalljen e pavarësisë në 28 Nëntor 1912. Si rrallë ndonjëherë mëndjet e atij që do quhej pas pak ditësh babai i kombit shqiptar,Ismail Qemalit,e të atij që do quhej një nga etërit e po këtij kombi vetëm një vit mbas vdekjes së I. Qemalit në janar 1919 ,kanë funksionuar kaq përsosur si enë komunikuese në këtë rast në të mirë të kauzës sonë shekullore. Sulejman Delvina,ndonëse mbeti në Stamboll në kërkim të fatit, ndonëse tjetri nisej drejt aktit më vendimtar të histories shqiptare, ndenji duarkryq,po me Thirrjen e 18 Nëntorit 1912 dërguar drejt përfaqësive të Fuqive të Mëdha nuk rrinte asnjë hap prapa të parit në britmën për të shpëtuar vendin Sulejman
Delvina në vitin 1912 nuk ishte vecse 28 vjec dhe nuk kishte asnjë mundësi për të zënë vendin e atyre burave të mëdhenj që shpallën pavarësinë në Vlorë, po me veprimet e tij inteligjente qysh në ato vite kishte hedhur një themel të shëndosh në ndërtesën e atij shteti që pati meritën për ta ndërtuar si kryeministër në 1920.
Gjatë ngritjes e rënies së qeverisë së parë shqiptare të I.Bej Qemalit Sulejman Delvina parapëlqeu të rrinte si avokat në Stamboll gjatë kohës së Luftësë se Parë Botërore. Duke shpalosur aty aftësitë e tij enciklopedike në fushën e së drejtës ndërkombetare publike e duke i njohur erudicionin e begatë në negociimin e cështjeve juridike, në prill 1919 kolonia shqiptare në Turqi e dërgoi si përfaqësues të saj në Konferencën e Paqes në Paris për të mbrojtur interesat e Shqipërisë dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet politike të lindura në gjirin e përfaqësuesve të delegacioneve shqiptare,që kishin nisur grindjet për dominim. Ky bir i Delvinës së urtë,e njohur ne histori si qyteti ku gjykohej dhe me Kanunin e Labëris,që në vend të dënimeve penale parapëlqente zgjidhjen e konflikteve me pajtim, me gojëtarinë e tij të shkëlqyer, që kishte mahnitur edhe autoritetet angleze të pushtimit në Stamboll, arriti që si përfaqësues i kolonisë shqiptare të Turqis në Konferencë të Paqes në Paris gjatë vitit 1919 të zgjidhte brenda një viti të gjitha mosmarrëveshjet e ashpra midis gati 5-6 delegacioneve shqiptare, që për interesa politike të ardhme kishin ardhur të ndara në mbrojtje të cështjes sonë në atë Konferencë.
Nga të gjitha delegacionet tona,ai mund te ishte ndër të paktit,në mos i vetmi, që fliste e shkruante në mënyrë të rrjedhshme në gjuhën angleze. Kjo njohje brilante e gjuhës, që sot është gjuha e komunikimit global, tërhoqi menjëhëre vëmendjen e diplomacive britanike e amerikane të pranishme në atë Konferencë. Fill pas këtij viti të paharrueshëm për fatin e shtetit tonë në Ballkan, në fund të janarit të vitit 1920 në Lushnje u mbajt Kongresi i njohur.
Ky Kongres zgjodhi qeverinë e re me ministra të pakomprometuar e relativisht të rinj në moshë. Kur erdhi puna për të zgjedhur një kryeministër me reputacion moral, pas propozimeve për personazhe të gërryera nga ndryshku politik, një propozim I ndrojtur i la vendin një miratimi të plot nga delegatët. Ishin të gjithë ata që u ngritën kur dëgjuan emrin e kryeministrit të ri. Ndonëse vetëm 36 vjec,ai kishte rreth 20 vjet që militonte pa asnjë njollë me devocion për Shqipërinë Studenti delvinjot I Stambollit, që ishte në radhët e para te Rilindjës, avokati ekselent
i mijëra klientëve të huaj e shqiptarë në shtetin turk, po mbi të gjitha avokati gjenial i cështjes shqiptare në Konferencë të Paqes në Paris në vitin1919, pra S. Delvina u bë kryeministri i parë I shtetit që rilindi në qytetin e vogël.
Në qoftë se ka patur një mrekulli në politikën tonë të shekullit XX, atë e bëri Sulejman Delvina me qeverinë e tij të dale nga Lushnja. Dhe në qoftë se ka një kryevepër kjo qeveri,që zgjati vetëm një vit, ajo është Lufta e Vlorës me regji atë e me aktor masiv popullin lab. Në qoftë se sot Shqipëria ka një ndër kryeqytetet më të mira për sa i përket bukurisë natyrore, është merita e vetëm Sulejman Delvinës, që insistoi për zgjedhjen kundrejt disa propozimeve të tjera, si qenë Durrësi, Elbasani apo dhe Shkodra. Pra, Sulejman Delvina e vendosi përfundimisht Tiranën në hartën e kryeqyteteve të kontinentit tonë e koha ka vertetuar një herë e mire gjenialitetin e largpamësisë së tij. 30 km larg detit, 10 km larg malit, e shtrirë në fushë e kodra pjellore në mes të lumenjve me shumë ujë, e së pari në mesin gjeografik të mbarë viseve të Shqipërisë Etnike, Tirana është një ndër kryeqytetet me pozicionin gjeografik si dhe urbanistik ndër më të mirët në botë. Ajo ka hapësirë të mjaftueshme për t’u zhvilluar pa kufi, sepse shtrihet në shumicë në fushë. Kur Sulejman Delvina e qeveria e tij hynë në Tiranë mes plumbave në datën 11 shkurt të vitit 1920, shumica ende nuk e besonte se kjo qendër e lashtë do te arrinte moshën shekullore si kryeqytet, po sot në qendër të Tiranës, anash lagjes më luksoze të saj me emrin famëkeq “Blloku”, është dhe një rrugë moderne me emrin famëmadh të pagezuesit të saj, rruga me emrin “Sulejman Delvina”. Sulejman Delvina ndenji në postin e kryeministrit pothuajse një vit. Në harkun e 12 muajve të këtij viti gjenialiteti i tij, kreu pabesueshëm aq sa shqiptarët nuk kanë arritur të bëjnë gjatë gjithë shekullit XX. Nga një shtet gjysmë i robëruar në janar të vitit 1920 me ushtri pushtuese në cdo skaj të vendit, në dhjetor 1920 Shqipëria u bë shtet i lirë e në 17 dhjetor të këtij viti u fut në Lidhjen e Kombeve. Po kryevepra politike e Sulejman Delvinës në histori do të mbetet Lufta e Vlorës kundër Italisë në 1920, ku “Komiteti për Mbrojtjen e Vlorës drejtuar nga patrioti vlonjat Osman Haxhiu e një masë e stërmadhe luftëtarësh, te fshatarët e Labërisë e te vullnetarët e krejt Shqipërisë gjetën një mbështetje e fortë tek qeveria e Tiranës e kryeministrit Sulejman Delvina. Veç ajo shfaqje-epope e Luftës së Vlorës që nisi si një tragjedi reale ku rezikohej jeta e një kombi si ne, po që shpejt gjeti mbështetjen e të gjitha shteteve të tjera të botës, në sajë të paraqitjes së shkëlqyer diplomatike të Sulejman Delvinës, duke patur nga prapa ndihmën e pakursyer ushtarake që qeveria e tij u dha bijve të Luftës së Vlorës. Ajo Luftë ka patur heronj: si Sulejman Delvina, Osman Haxhiu, Ahmet Lepenica e shumë heronj të tjerë, të cilët dhanë gjithë detin e inteligjencës së mendjeve të tyre për atë shtet. Pasi Sulejman Delvina dha dorëheqjen nga detyra e lartë e kryetarit të qeverisë së tij pas një viti pune e vazhdoi karrierën e tij politike në radhët e deputeteve të kuvendit. Po të shihni vëllimet e punimeve të këtij parlamenti të parë, botuar të plota në 20 volume në 2020, do të lexoni dhe fjalimet e diskutimet e bëra prej S. Delvines si deputet. Në to do gjendet e plotësuar në tërësi personaliteti i tij kompleks. Them kompleks, se në vitin 1924 ai do i kthehet karrierës së lartë. Në qeverinë e krijuar prej F. Nolit ai do ishte ministri i saj i jashtëm. Me përmbysjen në dhjetor 1924 do niste dhe tragjedia e tij vetjake I mësuar me dashurinë konkrete për atdheun e tij fizik,me të cilin e kishte shumë të vështir të ndahej, ndryshe nga kolegët e tij qeveritar ai u largua shumë larg prej këtej, po u vendos në Korfuz të Greqisë, përballë të cilit shihte përditë nga dritarja në mëngjes shtëpitë e vendlindjes së dashur, Delvinës. Jeta e vetmuar e emigrantit nisi ngadalë jo vetëm ta ligështonte, po ti afronte sëmundje të rënda. Në këto kushte Sulejman Delvina u kthye në Shqipëri në vitin 1928 për të zaptuar shtratin e vdekjes. Ajo ditë e vitit 1932, kur ai vdiq në Vlorë me shumë siguri ka qenë një ditë e trishtuar për Shqipërinë. Bashkë me të ikte drejt qiellit dhe kujtimi i ndritur I një burri nga më të shquarit e shtetit tonë shqiptar. Në epokën e sotme, kur Sulejman Delvina tashmë ka hyrë pa kthim në historin tonë bashkëkohore, ne, pasardhësit e tij bashkëkohës, duhet të lartesojmë gjithcka të tij. Pa dyshim, siç thashë edhe në hyrje të këtyre rreshtave, S. Delvina bën pjesë në Panteonin e figurave shqiptare për mendimin e pjekur të historisë, të përpunuar në 30 vite të fundit. Ismail Qemali, themeluesi i shtetit shqiptar pas 5 shekujsh dominimi; Sulejman Delvina, simboli i ringjalljes së këtij shteti pas agonisë së zgjatur të Luftës së Parë Botërore tek ne Personaliteti i S. Delvinës qëndron pas Ismail Qemalit si një hallkë lidhëse që bashkon një grup burrash që personifikojnë historinë moderne të Shqipërisë. Ai jo vetëm e deshi kombin e tij me pasion, por i shërbeu atij me frymë të lartë europerendimore, duke treguar se edhe nga popujt e vegjël dalin shtetarë të spikatur. Pak me parë fola se kur ai vdiq qe një ditë e trishtuar për shqiptarët. Po siç shkruajnë disa bashkëkohës të tij në kujtimet e tyre të shkruar, në fakt ka qenë një ditë e zymtë. Ai vdiq në Vlorën e Ismail Qemalit e u largua prej aty për të lënë përherë nga pas madhështinë në Histori.

Scroll Up