Shkrime

Bilal Xhaferri, “Georgi Markovi” shqiptar

Bilal Xhaferri, me aq sa shkroi në letërsinë tonë, ka zënë një vend të pavdekshëm në historinë e saj.
Bilal Xhaferri, shkrimtari  i shquar shqiptar, lindi në fshatin Ninat të Sarandës në vitin 1935. Vdiq në Çikago, në vitin 1986, ku ishte vendosur prej 12 vitesh si një prej disidentëve të parë politikë shqiptarë, pas arratisjes spektakolare nga Shqipëria si akt kundërshtimi ndaj regjimit  komunist shqiptar.
Ashtu si në qytetin tim të lindjes, në Vlorën e Pavarësise e Flamurit, ku I. Qemali, kryebiri i kombit dhe i lindur aty e ka varrin në qendër të qytetit edhe këtu në Sarandë, në këtë metropol elitar turizmi të mbarë trevave të kombit tone, ka shumë vjet që Bilal Xhaferi, si pinjolli më i denjë i saj, e ka varrin në buzë të bulevardit historik, si emblema më e artë historike, që nxorri Saranda në shekullin XX.
Tashmë po bëhen mbi tri dekada që për këtë shkrimtar e publicist janë botuar romane të tij të lëna në dorëshkrim e i është ribotuar krejt proza, poezia e publicistika; i janë kushtuar me qindra artikuj në të gjitha gazetat dhe revistat e dala në Shqipëri, Kosovë etj.
Për të sot janë në dispozicion shumë libra studimorë e biografi.
Është pikërisht lavdia e një personaliteti të tillë që më bën të nderuar të shkruaj këto rreshta për jetën e veprën e tij.
Bilal Xhaferi u lind në vitin 1936 në fshatin Ninat të Konispolit në rrethin e sotëm të Sarandës në po atë qendër banimi ku dikur, në agimin e një shekulli më parë, shek. XIX, lindi një prej dijetarëve eruditë të Rilindjes Kombëtare të Shqipërisë, zoti Hasan Tahsini, rektori i parë i universitetit të parë të Perandorisë Osmane të kohës të Stambollit inauguruar në 1870, ç’ka tregon që kjo zonë, e cila njihet në Shqipëri edhe me emërtimin gjeografik “Çamëria e Brendshme”, ishte qysh herët një krahinë e zhvilluar në ekonomi dhe kulturë. Në këtë ambient Bilali kaloi fëmininë i rrethuar me ngrohtësi. Por shumë shpejt, duke nisur që nga viti 1945, kur atij po i afrohej periudha e moshës më të rritur, do niste një rrugë të ashpër në jetë, deri në fund të jetës së tij.
Bilal Xhaferi në vitin 1945 do të bëhet njëri prej mijëra fëmijëve të qindra të pushkatuarve, që regjimi i ri në Shqipëri do t’i ndante nga baballarët për veprimtarinë më fisnike të patriotizmit shqiptar në atë kohë, atë të luftës e përpjekjeve për Shqipërinë Etnike. Babai i tij as që e ka menduar ndonjëherë, madje as në ëndrrat e tij nuk e ka menduar se do të linte pas një djalë, i cili do të merrej me letërsi e do të bënte një emër të madh.
Ishte pikërisht në këtë mjedis ku u mbrujt karakteri i Bilalit fëmijë. E megjithatë, komuniteti çam, prej nga lindi, i dalluar për solidaritet, do bënte të pamundurën për të, që ai të kompensonte mungesën e të atit sadopak e të shkollohej.
Me ndihmën e tij ai ia arriti që të kryente shkëlqyeshëm Shkollen e Mesme të Ndërtimit në Shkodër. Aty ai pati fatin që të edukohej nga një ekip mësuesish të vjetër shkodranë, të cilët në shumicë kishin kryer studimet në vende të Europës Perëndimore.
Besoj se tok me familjen e pasur fisnike, prej nga e kishte origjinën, edhe këta mësues shkodranë të brezit të vjetër u bënë shtytje që të niste të kultivonte letërsinë. Pikërisht në qytetin artdashes duhet të kenë lindur krijimet e para letrare. Mbase, hidhërimit të përjetshem, që do e shoqëronte deri në fund, vendosi ta zbuste duke u zhytur në botën e bukur te krijimtarisë.
Dhe ku më shumë se në qytetin e kalasë së Rozafës e të liqenit mund të gjendej vendi më i mirë për të fantazuar në imagjinatë një të ardhme me ngjyra, që ndrin më pas në veprat e tij, po që nuk ia ndryshoi aspak fatin.
Bilal Xhaferri, pasi mbaroi Shkollën e Mesme të Ndërtimit e më pas ushtrinë në reparte të detyruara, do niste në fund të viteve ’50 një shtegtim të gjatë në kantiere të ndryshme në rrethet e Shqipërisë. Rinia e tij i ngjason sadopak atij të romanit “Martin Iden” me autor shkrimtarin amerikan, Xhek London. Ashtu si Martin Ideni, i endur anembanë në punë raskapitëse, edhe Bilali punoi në çdo kantier të vendit në sektorë me rreziqe, në pothuaj krejt veprat e mëdha që po ngriheshin atëherë tek ne.
Pas mbarimit të orarit të punës, dita për të do mbyllej me leximin e librave pafund, të lejuar apo jo, në përpjekje për të larguar ligështimin mendor që i dhuronte damka e të etiketuarit “reaksionar”, e, njëkohësisht, në tentativë për të realizuar pasionin e tij të maturuar për t’u bërë shkrimtar.
Pikërisht në ato çaste atij do t’i vinte në ndihmë një ndryshim i rëndësishëm në historinë tonë.
Në fillim të viteve ’60 atdheu ynë u shkëput nga varësia shtetërore e BS dhe e gjithë kampit socialist e regjimi nisi të kërkojë ndihmën e artistëve për të kompensuar me kulturë varfërinë e Shqipërisë. Madje në datën 9 korrik 1961, Enver Hoxha organizoi një mbledhje me artistët më të shquar të vendit, ku u premtoi atyre ndihmën për të bërë, gjoja sipas tij një art të ri cilësor që i kënaqte shqiptarët.
Po si mund të bëhej një art më cilësor artistikisht me artistët e vjetër mediokër të dale nga lufta?
Pikërisht ishte ky hall i diktaturës që e detyroi te njihte artin e Bilalit, po me të cilën ai nuk do të njihte asnjë kompromis, qoftë edhe për të shkruar një varg për ta lëvduar. Në fillim të viteve ’60 do të dilnin për herë të parë në gazetën “Drita” e revistën artistike “Nëntori” tregimet e poezitë e tij të para, të cilat patën një bujë të madhe. Një talent i ri me një gjenialitet të papërsëritshëm u shfaq në letërsi. Menjëherë në të gjitha qarqet kulturëdashëse të vendit, të cilat ndiqnin rregullisht shtypin periodik nisën pyetjet e para të ethshme, të natyrshme për cilindo krijues, që bën bujë të jashtzakonshme. “Kush është ky njeri? Ku punon? Nga cila krahinë e ka origjinën?”, etj.
Por dalngadalë erdhën përgjigjet e para të vërteta. Opinioni publik i Shqipërisë, qoftë zyrtar apo jo, u nda më dysh si në asnjë rast për ndonjë shkrimtar tjetër te shfaqur atëherë. Njëra palë, si pjesa më e kulturuar e përbërë nga intelektualët më virtuozë të Shqipërisë së kohës, kur mësoi për biografinë e tij e admiroi njëqindfish më tepër atë, kurse tjetra, shtresa e urryer e sistemit, e rriti urrejtjen ndaj tij .
Nga pikëpamja teoriko-letrare, e vlerësimit dhe rëndësisë së Bilal Xhaferrit në letërsinë tonë shqipe, ai renditet në “gjeneratën e artë” të kësaj letërsie, që u shfaq tek  ne befasisht në fillim të viteve ’60 me krijimet e para të shkrimtarëve të rinj I. Kadare, D. Agolli e F. Arapi. Pra, me këtë treshe shkrimtarësh, që u bënë më vonë krenaria e letërsisë bashkëkohore shqipe, u vendos si i barabartë me krijimet e para në atë kohë dhe B. Xhaferri. Tregimet e tij të para të viteve ’60, si “Përtej largësive” e “Purpuranti” patën një jehonë të mahnitshme në lexuesit shqiptare te asaj kohe. Ishte kjo pritje plot me triumf, e shoqëruar me artikuj inkurajues, që e detyroi Shtëpine Botuese “Naim Frashëri” t’i botojë vëllimin e parë letrar me tregime “Njerëz të rinj, tokë e lashtë”, që u prit si surprizë nga kritika jonë.
Pas një viti, në vitin 1967, B.Xhaferri dorëzoi po në këtë Shtëpi Botuese një vëllim të ri me poezi të shkruara gjatë një dekade,  titulluar “Lirishta e kuqe”.
Ndërkohë, ai përgatiti në prag të  500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, në 17 janar 1968, një roman në dorëshkrim për të, që e titulloi shkurt”Krastakraus”.
Në këtë kulm veprimtarie superintensive si një shkrimtar i ri me disa tipare të dukshme gjeniu, (të shfaqur befas në qiellin e letërsisë shqipe si një meteor i papritur për kontrollorët e shtetit), qëllimisht re të zeza filluan që të keqësonin klimën deri atëherë pak liberale jo vetëm të kulturës. Duke imituar Revolucionin Kinez, që i coi intelektualët në orizore, edhe në Shqipëri nisi qarkullimi i artistëve drejt periferive te vendit. Ishte e pashmangshme që kjo valë goditëse do e prekte Bilalin.
Në vitin 1968 Bilal Xhaferrin do ta çonin në fshatin Hamall në Durrës, duke i hequr njëkohësisht të drejtën e botimit. I prangosur fizikisht në “kafazin” e moçaleve të fshatit ku u dërgua, po ende i furnizuar mjaftueshem me oksigjen lirie në qenien e tij, ai pas disa muajsh rikuperimi mbas plagosjes shpirtërore që pësoi atje, merr vendimin final që përcaktoi pjesën e mbetur të jetës së tij: Vendimin për t’u arratisur.
Atë ditë të vitit 1969, kur Bilal Xhaferri u arratis nga Shqipëria, vendi ynë u varfërua edhe me një atdhetar të shquar më pak.
Bilal Xhaferri, mund të quhet “Georgi Markovi” shqiptar.
Në vitin 1969 dy shkrimtarë nga dy vende të ndryshme komuniste kapërcyen “Perden e Hekurt”, për të mos u kthyer më, pra u arratisën nga bota komuniste në një kohë të shkurtër njëri pas tjetrit. Më vonë të dy do të vriteshin nga shërbimet sekrete të vendeve të tyre atje ku jetonin, në Perëndim.  Njëri prej tyre, i cili  iku nga Bullgaria quhej Georgi Markov. Tjetri i cili u arratis nga Shqipëria quhej Bilal Xhaferri. Në të vërtetë aventura e tyre, ndonëse e ngjashme, ndryshonte tërësisht në mënyrën se si secili prej tyre arriti të ikë në Perëndim.
Markovi udhëtoi në anën tjetër të “Perdes së Hekurt” në mënyrë të rregullt, me lejen e shtetit komunist bullgar, për të shkuar në Itali të takonte vëllain e tij që jetonte atje. Më pas, Markovi në vend që të kthehej në Bullgari shkoi në Britaninë e Madhe ku kërkoi strehim politik.
Bilal Xhaferri kapërceu ilegalisht kufirin me Greqinë, duke rrezikuar kokën pasi shkelësit e kufirit siç quheshin, qëlloheshin për t’u vrarë nga kufitarët e regjimit komunist. Bilali shkoi në SHBA. Të dy ishin afërsisht të një moshe kur u arratisën. Markovi ishte 39 vjeç, ndërsa Xhaferri 34. Të dy ishin shkrimtarë të talentuar dhe me të ardhme.
Të dyve iu ndaluan librat në vendet nga ikën, në Bullgari dhe në Shqipëri dhe emrat e tyre u ndaluan që të përmenden gjithashtu.
Markovit iu përmend emri vetëm kur në Bullgari ra regjimi komunist në 1989.
Bilal Xhaferrit në Shqipëri nuk iu përmend emri deri në 1991.
Markovi dhe Xhaferri nuk e njohën kurrë njëri-tjetrin, por fati i tyre dukej se ishte i lidhur edhe në vdekje. Markovin e vranë shërbimet sekrete bullgare dhe sovjetike në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në vitin 1978, në Britaninë e Madhe. Në të njëjtin vit, njerëzit e Sigurimit të Shtetit i kishin bërë atentat me thikë Xhaferrit duke e plagosur atë. Xhaferri që jetoi dhe një vit më pas, me siguri që dëgjoi për Markovin, pasi vrasja e këtij të fundit u bë lajm botëror. Xhaferri e dinte që Sigurimi i Shtetit do ta ndiqte gjithë jetën për ta vrarë, ashtu si Markovin kolegët bullgaro-sovjetikë të vrasësve të tij.
Edhe muajt e vdekjes së tyre janë pranë njëri-tjetrit. Markovin e vranë në shtator, ndërsa Xhaferrin në tetor. Bilal Xhaferri si banesë të tij të fundit shtetërore pati keshtjellën botërore te demokracisë, Ameriken, ku fillimisht punoi në gazetën “Dielli ” të Shoqatës “Vatra” e më pas themeloi dhe drejtoi revistën politike “Krahu i Shqiponjës”, që u botua midis viteve 1974 e 1981 në Çikago, ku qëndroi deri në fund të jetës së tij dhe ku krijoi edhe Shoqërinë “Lidhja Çame”. Në këtë etape të dytë të jetës së tij, Bilali shfaqet si një publicist nga më të shkëlqyerit në historinë e gazetarisë shqiptare. Atij i përket lavdia e padiskutuar në radhët e diaspores në Amerik që ishte figura e parë politike shqiptare që nisi të sensibilizojë publikun me cështjen e Camëris.
Ndonëse i ardhur nga ajo zonë e Çamërisë që mbeti brenda kufive të Shqipërisë së caktuar në 1913, ai nuk harroi kurrë që të ngrejë zërin në mbrojtje të të drejtave civile e kombëtare të Çamërisë. Nuk njoh asnjë shqiptar tjetër që në periudhën e Luftës së Ftohtë të ketë bërë më shumë për cështjen e Çamërisë se ç’bëri ai.
Ishte ky kontribut kryesor e prej themeluesi në publicistikën ndaj çështjes së pavdekshme çame, që bëri të mundur ringjalljen e saj pas një gjysmë shekulli tiranie. kur erdhi Demokracia në 1990.
Bilal Xhaferri vdiq i ri, ashtu si kanë vdekur edhe shumë legjenda të tjera të historisë së vendit tonë.
Kur ai u fik larg motrave, njerës prej të cilave i kishte bërë edhe një poezi shumë të bukur lirike, larg varreve të të parëve të tij e larg Ninatit, që e la qysh fëmijë, patjetër që erërat e dhimbjes e kanë sjellë pas pak lajmin e zi edhe në atdheun e tij të shtrenjte.
Bilali iku i palumtur për shumë amanete të parealizuara, për gjithçka që ai kish synuar në jetë. Po vetëm 3 vjet pas këtij largimi, në Europë u rrëzua muri i Berlinit e brenda një viti do shëmbeshin dhe muret që ndanin kombin tonë. Shpejt nga thellësia e mirënjohjes së këtij kombi do shpërthente si një llavë vullkani dhe mirënjohja për të gjithë ata bij të tij, të cilët qenë dëshmorë intelektualë të tij.
Me një shpejtësi të pabesuar, Shqipëria e re që erdhi, sadoqë me mjaft halle, nuk harroi aspak që ta vinte Bilal Xhaferin në piedestalin më të lartë të duhur.
Kolosal për arsenalin e dashurisë mendore e fizike që pati për atë.
Një ditë të bukur eshtrat e tij erdhën në Sarandë e prehen aty përgjithmonë buzë detit Jon, si një kujtim i bukur për shkrimtarin e talentuar dhe birin trim të Çamërisë.
Bujar Leskaj, Vlore me 23.04.2021

Scroll Up