Program Zhvillimi

PROGRAMI I PD PËR VLORËN

Ky projekt është nxjerrë nga ndërthurja e programit qendror të PD “Shqipëria Fiton”  nga njëra anë dhe prioriteteve zhvillimore të komunitetit lokal, në sektorë, si turizëm, infrastrukturë, ekonomi, kulturë arsim, shëndetësi, energjetikë dhe agro-blegtori.
Pas një rrugëtimi disamujor, duke dëgjuar intelektualë dhe punëtorë, pedagogë, mjekë, inxhinierë, fermerë dhe agronomë, të rinj dhe të moshuar, sipërmarrës të sektorit turistik në fshat dhe në qytet, etj., po ju paraqesim shkurtimisht udhërrëfyesin e punës tonë për Vlorën për katër vitet e ardhshme.
I. Qarku Vlorë – destinacion turistik gjithëvjetor
Qeverisja e Partisë Demokratike, do të realizojë kthimin e qarkut Vlorë në një destinacion turistik gjithëvjetor, me oferta të qarta të turizmit të rërës, diellit dhe detit, turizmit kulturor dhe historik, turizmit arkeologjik dhe të aventurës, të atij natyror, gastronomik dhe të agroturizmit.
1.Do të fuqizojmë flotën detare të operatorëve turistikë të qarkut Vlorë, nëpërmjet programeve shtetërore dhe vendore të mbështetjes me subvencione dhe kredi të buta, për të rritur koneksionin dhe vizitueshmërinë në zonat e mbrojtura të qarkut Vlorë dhe atraksionet e tjera natyrore.
2.Do të realizojmë mbështetjen e plotë të tur-operatorëve, në promovimin e paketave të tyre turistike, mbështetje financiare, lehtësira fiskale si dhe programe qeveritare për zhvillimin e ofertave turistike në trekëndëshat e artë të atraksionit vlonjat: Vlorë-fshatrat e Lumit të Vlorës-Kaninë; Himarë-Kuç-Kanionet e Kurveleshit; Dukat-Tragjas-Rradhimë (treva Erikua); Vlorë-Himarë-Delvinë, etj.
3.Do të përgatisim dhe zbatojmë një program të dedikuar katërvjeçar për trajnimin e vazhdueshëm të personelit dhe kapaciteteve njerëzore të përfshira në zinxhirin e sektorëve dhe shërbimeve turistike në bashkëpunim me agjencitë shtetërore të dedikuara, UV e Vlorës dhe Shkollën Tregtare.
4.Do te promovojmë turizmin kulturor, dhe arkeologjik duke rigjallëruar dhe shtuar programet dhe paketat turistike për vizitat në kalatë dhe objektet e kultit të qarkut Vlorë; kthimi i Vlorës në qytet të muzeve.
5.Do të zhvillojmë Argotizmin në Qark, duke orientuar dhe fokusuar financimet nga AZHBR dhe nga donatorë të tjerë ndërkombëtarë, në fermat  me potencial të lartë zhvillimor, duke nderthurur bukuritë natyrore krahinore si dhe produktet bio të agro- blegtorisë.
6.Në mbështetje të sektorit të turizmit, PD do të bëjë këto investime infrastrukturore;
a. Do të rikualifikojë vijën bregdetare Vlorë-Orikum, duke ndihmuar dhe jo dëmtuar investimet private dhe resortet aktuale të zonës.
b. Do të realizojë Mastërplanin e kësaj zone, i cili përfshin gjithë rrjetin infrastukturor të aksit Vlorë-Orikum, duke u mundësuar sipërmarrjeve të banorëve vendas akses më të madh dhe zgjerim të aktivitetit të tyre, si dhe duke favorizuar nismat e reja turistike në zonë.
c.Do të ndërtojë rrjetin e tensionit të mesëm 20 kw në njësinë administrative Orikum (Orikum, Radhimë, Tragjas, Dukat), në bashkinë Himarë, (Himarë, Dhërmi, Palasë, Qeparo-Kudhës) dhe përgjatë gjithë vijës bregdetare turistike në jug.
II.  Infrastruktura
PD do të përfundojë veprat publike dhe projekte infrastrukturore për  të cilat  pushteti lokal i PS ka qenë i paaftë në 25 vite për t’i realizuar, sikurse  Rilindja urbane nuk ishte e aftë t’i përfundonte në 8 vite apo t’i fillonte ato.
1.Do të ndërtojmë Aeroportin e Vlorës.
2.Do të ndërtojmë Tunelin e Llogarasë.
3.Do të garantojmë furnizimin me ujë të pijshëm për të gjitha lagjet e qytetit të Vlorës.
4.Do të rishikohet Plani Urbanistik i qytetit të Vlorës, duke ju përgjigjur nevojave të ngutshme dhe ato me perspektivë për zhvillimin ekonomik, industrial dhe të turizmit të qytetit ;.
5.Do të realizojmë Rikualifikimin Urban të zonës informale të qytetit të Vlorës dhe do të asfaltojmë të gjitha rrugët brenda Unazës së Qytetit të Vlorës.
6.Do t’i jepet zgjidhje përfundimtare të problemit të përmbytjeve në qytetin e Vlorës.
7.Do  të përgatisë Masterplanin e Ujërave të Bardha për rrjetin e qytetit;
8.Do të ndërtojmë dy hidrovorë, duke i lidhur me hidrovorin kryesor  të qytetit.
9.Do te kryhet pastrimi  dhe sistemimi  i kanalit te ujërave të larta të qytetit..
10.PD do të përfundojë zgjerimin dhe modernizimin e Portit te Vlorës.
11.Do të zhvillojë portin e peshkimit në Triport dhe do te fuqizojë flotën e peshkimit.
12.PD do të përfundojë procesin e legalizimit të ndërtimeve informale në qarkun e Vlorës, të zvarritur, vonuar dhe penguar gjatë tetë viteve të fundit.
13PD do të realizojë investime ne  zonat rurale.
14.Projektin e rrugës së “Lumit të Vlorës”, Loti 4, duke përfshirë ndërtimin e urës që lidh Selenicën me rrugën nacionale Levan-Tepelenë.
15.Do të ndërtojë Rrugën “Bestrovë- Bunavi- Llakatund”.
16.Do të ndërtojë rrugën “Sherishtë- Drashovicë”.
17.Do të ndërtojë rrugën “Kthesa e Velçës-Velçë-Bashaj” dhe të fshatrave të tjerë.
18.Do të rikonstruktojë rrugën e vjetër dhe urën “Vlorë – Novoselë”dhe te gjithë fshatrave të tjerë.
19.Do të realizojë furnizimin me ujë të pijshëm të gjithë fshatrave, specifikisht: Bestrovë, Panaja, Hoshtimë, Kërkovë, Trevllazër, etj.
III. Investimet në agro-blegtori dhe në zhvillimin rural  
Partia Demokratike angazhohet për agro-blegtorinë dhe zhvillimin rural në qarkun Vlorë duke vlerësuar nevojat e sektorit dhe karakteristikat krahinore me avantazhet dhe kufizimet e saj. Qëllimi i programit tonë do të  jetë, modernizimi, dhe plotësimi i  standarteve për fermat dhe mbështetje për kulturat bujqësore,  duke rritur produktivitetin dhe konkurencën, nëpërmjet mbështetjes financiare, programore, në të gjithë zinxhirin e sektorit, nga ferma tek produkti final. Konkretisht programi i PD për agro-blegtorinë në Vlorë ka këtë plan veprimi:
1.Do të realizojë një program të dedikuar për dhënien e granteve dhe kredi me norma të ulëta interesi për shtimin e prodhimit bujqësor dhe blegtoral.
2.Do të mbështesë financiarisht zgjerimin dhe modernizimin teknologjik të fermës  duke dyfishuar fondin mbështetës të AZHBR për qarkun Vlorë.
3.Do te krijojë një sistem incentivues fiskal deri në përjashtimet  nga detyrimet fiskale për tre vitet e para të aktivitetit tek të gjitha sipërmarrjet e krijuara nga të rinjtë në fushën e bujqësisë, si dhe të gjitha aktivitetet e reja të ngritura në zonat malore për blegtori dhe agroturizëm.
4.Do të mbështesë me grante  akuakulturen (kultivimin dhe rritjen e peshkut.
5.PD do të mbështesë financiarisht çdo projekt dhe investim që ka për qëllim investimet në magazinimin, logjistikën,në përputhje me standartet e BE-së per sektorin agroblegtoral dhe te akuakultures ne qarkun e Vlores me qellim rritjen e eksportve..
6.Do të ndërtojmë dhe përmirësojmë një sistem vaditës dhe kullues të tokës bujqësore në fshatrat Peshkëpi, Mesaplik, Brat, Gjorm, Harvala, Kallarat, Bolenë, Dushkarak, Shkozë, Sevaster, Petë, Lapardha dhe Gumenicë etj.
7.Do të realizojmë ngritjen e një sistemi mbrojtës të përhershëm  për  tokat bujqësore të fshatit Karbunarë nga gërryerja e lumit Vjosë dhe tokat bujqësore të fshatrave Drashovicë, Vranisht, Kuç, etj nga gërryerja e lumit Shushicë.
8.Do të mbështesim fuqimisht me fonde fermat e mëdha  dhe nxitjen e bashkëpunimit në tufëzim midis fermerëve, për të realizuar kooperime  moderne midis ekonomive të vogla blegtorale, me qëllim përthithjen e financimeve serioze me grante dhe kredi bankare,  rritjen  e standarteve të produkteve blegtoriale, subvencionim për çdo kre bagëti të të gjithë blegtorëve dhe përmirësimin  e  menaxhimit financiar, uljen e kostove dhe krijimin e fermave me cikël të mbyllur.
IV  Arsimi
1.Programi ynë do të mundësojë dhe lehtësojë aksesin për arsimim për cdo nxënës , duke zeruar cdo diskriminim ekonomik, social, krahinor apo etnik.
2.PD  do të sigurojë tekste shkollore të reja falas, për 12.000 nxënës që ulen mesatarisht çdo vit në auditorët e arsimit parashkollor në bashkinë Vlorë.
3.Do të rrisim dinjitetin e mësuesit, duke rritur së pari pagat  me 60% pagat e mësuesve me nje page minimale 700 Euro në muaj rrogë. Kështu ne do sjellim më shumë të ardhura dhe mirëqënie për 1.200 familjet e mësuesve tanë të arsimit parauniversitar në qytetin e Vlorës.
4.Do të ngremë në një stad më të lartë arsimin e mesëm dhe profesional ne Vlorë,
5.Do të mbështesim   dhe modernizojmë dy shkollat profesionale të qytetit (Shkolla Industriale dhe Shkolla Tregtare), si përsa i përket profilit të mësimdhënies, infrastrukturës fizike dhe  logjistikës mësimore.
6.Nëpërmjet programeve mësimore moderne që ndërthurin arsimin e përgjithshëm me atë profesional, do t’u japim mundësinë të rinjve të qarkut që duan një profesion, që ta mësojnë atë gjatë periudhës së arsimit të mesëm.
7.Ne dot t’i japim një vlerë të shtuar arsimit parauniversitar, në funksion të kërkesave të tregut të punës, duke rivlerësuar nga njëra anë potencialin e të rinjve vlonjatë, si dhe duke rikthyer nga ana tjetër shpresën per një të ardhme të sigurt në qytetin e tyre.
8.Do të kemi si strategji prioritare, investimin në infrastrukturën shkollore.
9.Do të ndërtojmë dy shkolla 9 vjeҫare dhe një shkollë të mesme bazuar në kriteret e largësië shkolle-komunitet dhe  të mbiprezencës nëpër klasa në lagjet e reja (30 vjeçare) të Vlorës.
10.Do të përmirësojmë infrastrukturën, duke filluar  së pari nga shkollat e mesme dhe 9 vjeçare, si shkolla Avni Rustemi qytet, Jani Minga (9- vjeçare), Lef Sallata, Marigo Posio, Teli Ndini, Zenel Mura, Zigur Lelo, Hasan Mëhilli, etj.
V. UNIVERSITETI I VLORËS  “ISMAIL QEMALI”
1.Ne do të fokusohemi që këtë institucion ta lartësojmë edhe më shumë në nivelin e emrit që ka. UV ISMAIL QEMALI  do të shndërrohet në  një qendër  të mirfilltë akademike të punës dhe kërkimit shkencor, në shërbim të përmirësimit të jetës ekonomike,sociale dhe asaj kulturore të komunitetit vlonjat.
2.Me amendimin e ligjit të arsimit të lartë, do ta transformojmeUV “Ismail Qemali”, duke i dhënë më shumë liri akademike dhe autonomi financiare,si dhe duke e shndërruar në një qendër rajonale të dijes shkencore dhe tëmjedisit intelektual dhe akademik në qytet dhe më gjerë.
3.Rritja e buxhetit shtetëror për Universitetin “Ismail Qemali” për mësimdhenien, kërkimin shkencor, laboratorët, etj. do të jetë efektive dhe në nivele mbi 30 përqind në vit, që në vitin e parë të qeverisjes së re.
4.UV Ismail Qemali do të jetë partner strategjik për hartimin  e programeve zhvillimore rajonale në sektorët prioritar si  Turizmi,Bujqësia dhe Akuakultura,  Mjedisi dhe Energjetika.Përshtatja  e kurrikulave sipas profilizimeve për të cilat ka nevojë tregu (në sektorin e IT dhe inteligjencës artificiale, menaxhimit dixhital,  inxhinieri detare dhe të akuakulturës, menaxhim tur operatorësh, menaxhim hoteleri dhe agroturizëm etj), do ta bëjë më konkurrues  kët institucion
5.Partia Demokratike do të nxisë hapjen dhe promovimin i studimeve doktorale të tjera në Universitetin “Ismail Qemali”, si dhe rihapjen e degëve të Akademisë Navale dhe Aviacionit.
6.Angazhimi ynë për ndërtimin e një kampusi universitar për UV ISMAIL QEMALI  do të përmbushë një nga detyrimet morale që PD ka historikisht ndaj studentëve-pionierë të demokracisë dhe ndryshimit por jo vetem;
7.Ne do te ulim e tarifat universitare dhe pasuniversitare për të gjitha ciklet e studimeve universitare, Bachelor, studimet Master dhe Doktorature ne Universitetin e Vlores.
8.Do të akordojmë  bursa të plota për studentë që vijnë nga familje me të ardhura mujore nën 64.000 lekë në muaj dhe bursa në mesën 50% për familjet me të ardhura mbi 64.000 lekë në muaj; do të mbështesim studentët e ekselencës në  rrugëtimin e tyre akademik, duke u siguruar të drejta studimore në universitetet më të mira të botës,
VI. Shëndetësia.
Si derivim i programit kombëtar të Partisë Demokratike për shëndetësinë që ka në thelb konceptin “pacienti ne qendër të sitemit” ne kemi  një strategji për  shndërrimin e Spitalit Rajonal (SR) të Vlorës  në një institucion shëndetësor të aftë të konkurrojë sektorin privat me standartet më të mira ndërkombëtare,
1.Do t’i japim autonomi  financiare dhe menaxheriale SR,duke garantuar finacime në shërbimet spitalore mjekësore mbi bazën e kostimit të tyre, bazuar në protokollet dhe standartet ndërkombëtare.Në këtë mënyrë,do të synojmërritjen e performancës së shfrytëzimit të shtretërve nga 28% që është aktualisht, në të paktën 60%.
2.Do të rrisim numrin dhe cilësinë e shërbimeve spitalore te specializuara speciale në SR, që aktualisht realizohen nga QSUT.
3.Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet sistemit të sherbimit te urgjencës me investimin ne logjistikë dhe aparatura ,trajnimin profesional, dhe shtimin e stafit te dedikuar.
4.Në vizionin e Programit tonë për Shëndetësinë në Vlorë, do të jetë ndërtimi i një spitali lokal në Bashkinë Selenicë, (Njësia administrative Kotë). Ky institucion lokal  do të  plotësojë të gjitha kërkesat për akreditimin dhe çertifikimin institucional, duke  garantuar cilësinë e shërbimeve spitalore sipas standarteve dhe protokolleve ndërkombëtare.
VII. Energjitika 
Ne besojmë te transformimi i Vlorës në një qendër strategjike të gazifikimit dhe njëherazi në një atraksion ndërkombëtar turistik, sipas një vizioni strategjik që ka në themel ruajtjen emjedist dhe të ekulibrave të ekosistemit natyror. Ky është vizioni ynë për zhvillimin e rajonit, duke i dhënë vlerë avantazheve krahasuese që ofron pozicioni  gjeografik, burimet natyrore dhe ato njerëzore .
1.Partia Demokratike përshëndet dhe mbështet planet e qeverisë së SHBA për ndërtimin e një terminali të gazit të lëngshëm me perfshirjen e DFC  në Shqipëri
2.Ne e shikojmë këtë partner strategjik (DFC lehteson financimin e projekteve të ndryshme me një kapacitet 60 mld USD) jo vetëm si një garanci që projekti të relizohet  më standartet më të larta por edhe  si një mundësi të artë për Vlorën dhe rajonin, për të përfituar financime të projekteve private në zhvillimin e sektorëve të tillë si energjetikë, kujdes shëndetësor, infratrukturë, etj..
3.PD do të punojë me përparësi absolute që ky terminal të vendoset në qarkun e Vlorës, si porta hyrëse e Ballkanit, me pozicionin ideal strategjik për të shërbyer si qendëre një rrjeti shpërndarje të LNG në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit.
VIII. KULTURA
Vlorës do t’i rikthejmë kulturën që meriton.
1.Qytetit të kinemasë së parë në Shqipëri do t’i rikthejmë kinemanë e dëshiruar.
2.Do të çelim një bibliotekë të madhe në vend të asaj ekzistuese, duke shtuar sallat e leximit dhe fondin e librave..
3.Do të modernizojmë muzeumet ekzistuese, dhe do të hapim Muzeume të reja, si: Muzeu i Çamërisë, Muzeu i Hebrejve dhe Muzeu i Kosovës që është në proces..
4.Qendra Kulturore e Vlorës do të rikthehet në identitet, duke u shërbyer talenteve të reja në fushat e artit; do të hapim Qendrën e Kulturës në Selenicë..
5.Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet Qendrës Kulturore të Fëmijëve, ku hapi i parë do të jetë organizimi i Festivalit të Fëmijëve, si një traditë e bukur e qytetit.
6.Teatri dhe Estrada Profesioniste e Vlorës, do të jenë në qendër të përpjekjeve tona, duke ruajtur dhe alternuar me vlerat dhe përvojat më të mira, për t’i rikthyer në kohët e tyre të arta.
7.Do të nxisim artistët dhe shkrimtarët e qytetit në krijimtarinë e tyre duke financuar punimet e tyre në gjinitë e ndryshme të artit dhe letërsisë.
8.Më shkollat e mesme të Vlorës do të bashkëpunojmë për zbulimin e talenteve të reja, duke i nxitur dhe stimuluar që të bëhen pjesë e veprimtarive artistike e kulturore të qytetit.
9.Do të ndërtojmë Shtëpinë e Këngës Labe në Njësinë administrative Kotë.

Scroll Up